Këtë të shtunë kanë hyrë në fuqi ndryshimet në Kodin e Qarkullimit Rrugor në Itali, të cilat ndër të tjera kanë të bëjnë me personat që konstatohen duke drejtuar mjetin të droguar si dhe gjobat për këdo që përdor skuterat elektrikë pa respektuar ligjin.
Për sa i përket përdorimit të lëndëve narkotike, kushdo që rezulton pozitiv në testin përkatës – edhe nëse nuk paraqet probleme të dukshme në lidhje me reflekset dhe aftësinë për të drejtuar mjetin – do t’i hiqet patenta për një periudhë 3-vjeçare. Dhe në këtë rast, gjoba maksimale është 6000 euro, me burgim nga gjashtë muaj deri në një vit. Konsumatorët e kanabisit terapeutik nuk përfshihen në këtë kategori.
“Shpresoj që me aplikimin 99% e italianëve të kuptojnë se Kodi i ri ka si objektiv uljen e numrit të aksidenteve dhe vdekjeve në rrugë”, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Transporteve Matteo Salvini i cili me shaka shtoi: “E kuptoj edhe unë që nga sot do të marr disa mallkime”.
Njëkohësisht, masat e reja të Kodit Italian të Qarkullimit Rrugor për këdo që drejton mjetin duke folur në celular parashikojnë gjobë nga 250 deri në 1000 euro. ndërsa për qytetarët që drejtojnë automjetin duke tejkaluar kufijtë e lejuar të konsumimit të alkoolit, parashikohet gjobë deri në 2173 euro me konfiskim të patentës deri në gjashtë muaj. Por, për ato raste kur niveli i alkoolit në gjak kalon 1.5 gram për litër, përveç gjobës deri në 6000 euro, parashikohet heqja e patentës deri në dy vjet dhe burgim deri në dymbëdhjetë muaj.
Kushdo që përdor një skuter elektrik pa helmetë gjobitet nga 50 deri në 250 euro. Në rast se patina nuk ka targë ose numrat e saj nuk duken qartë, gjoba fillon nga 100 dhe arrin në 400 euro. Më shumë mbrojtje për çiklistët ku përveç rritjes së shtigjeve të biçikletave, shoferëve do t’u kërkohet të mbajnë një distancë prej një metër e gjysmë kur kalojnë një biçikletë.
Madhësia e motorit të makinave që shoferët e rinj mund të ngasin gjithashtu do të rritet, por kufiri do të zgjasë për tre vjet.
Së fundi, kushdo që braktis kafshët shtëpiake në rrugë dhe autostrada, do të dënohet me heqjen e licencës deri në një vit dhe me burgim deri në shtatë vjet, në rast se kjo vepër e papërgjegjshme shkakton një aksident trafiku.
Burimi: Euronews