TIRANË, 21 janar/ATSH/ Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave kërkoi sot mbajtjen sa më shpejt të një seancë dëgjimore me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare si dhe kompanitë e sigurimeve që operojnë në treg, lidhur me policat e reja të sigurimit të mjeteve.
Deputeti i PS-së, Erion Braçe tha se çmimet e sigurimit të detyrueshëm të makinave janë rritur përtej logjikës së ligjit nga aplikimi i sistemit bonus-malus, ose me bazë risku.
“Ka një shqetësim të madh në treg, sikurse nga qytetarët që po përballen me rritje të çmimeve. Ka një argumentim nga grupi i shoqatave apo shoqatat që merren me mbrojtjen e interesave të kompanive të sigurimit me çfarë po ndodh në treg. M’u duk se një pjesë e tyre ishin kundër rritjes së primeve për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve motorike”, u shpreh Braçe.
Braçe vuri në dukje se situata vijon të mbetet e paqartë, dhe sipas tij, kjo vjen nga rregullorja e vetë AMF-së, e cila vendos parimet dhe ndërkohë që në aneksin e saj shoqërues, që është detyrues për kompanitë e sigurimit, përmbys parimet që ka vendosur vetë.
“Shqetësimi më i lartë është për mjetet e punës, që janë të një fuqie motorike më të madhe, ashtu sikundër të një vjetërsie më të madhe. Primet e sigurimit janë rritur më tepër sesa logjika apo sesa normalja”, theksoi ai.
Braçe tha se prej vitesh është kërkuar aplikimi i këtij sistemi, ndërsa theksoi rëndësinë e zbatimit korrekt të tij.
“Pas kaq vitesh që kemi kërkuar aplikimin e këtij sistemi, është e domosdoshme ta bëjmë mirë, jo thjeshtë dhe vetëm për të kaluar radhën”, u shpreh ai.
Shqetësimit iu bashkua edhe kreu i Komisionit, Eduard Shalsi, i cili theksoi se nevojitet që të dëgjohen palët, për të bërë të mundur që vizioni që ishte për aplikimin e këtij sistemi të gjejë zbatim në praktikë pa u deformuar.
“E gjej me vend dhe besoj se mund të mos mjaftojë vetëm dëgjesa me drejtuesen e AMF-së, por duhet të thërriten edhe përfaqësuesit e kompanive të sigurimit në treg, për të kuptuar më mirë situatën dhe bërë të mundur që vullneti dhe qëllimi të realizohet sikundër ishte vizioni”, tha ai.
Sipas tij, nëse në praktikë, ka raste ku nuk përputhet vizioni me praktikën, duhet ndërhyrë.
Nga 1 janari 2025 nisi aplikimin sistemi i ri bonus-malus, që në thelb ka si qëllim edukimin e drejtuesve të mjeteve dhe në njëfarë mënyre edhe shpërblimin e atyre që zbatojnë rregullat e qarkullimit.
Për policën e re të sigurimit, njohur ndryshe si siguracioni i automjetit, me hyrjen në fuqi të këtij sistemi nuk ka tarifë fikse, por llogariten disa elementë, si fuqia motorike, rajoni, mosha e të siguruarit, eksperienca e shoferit, vjetërsia e mjetit apo edhe arsyeja e përdorimit të mjetit, që mund të jetë për qëllime personale apo për biznes.
Sistemi përcakton çmime më të larta për drejtuesit e mjeteve në moshën 18-21 vjeç. Mosha e makinës ka ndikim, pasi është synuar mbështetja për makinat e reja, përfshirë edhe ato elektrike, apo hibride.
Çmimi i siguracionit rritet në mënyrë të qenësishme nëse makina do të përdoret nga bizneset. Me rregullat e reja ka një koeficient 20% rritje për bizneset pasi llogaritet që rreziku është më i lartë në rastet kur ka disa përdorues.
Sipas rregullores, koeficienti që lidhet me historikun e aksidenteve të shkaktuara në policën e këtij vitit llogaritet “1” për policën e sigurimit të këtij viti dhe sistemi shpërblyes bonus-malus do të fillojë nga 2026-a bazuar mbi historikun e 2025-ës.
Kryetari i Shoqatës së Siguruesve, Kadri Morina në një deklaratë për mediet javën e shkuar shpjegoi se faktorë kryesorë me ndikim në policë janë mosha e përdoruesit të mjetit si dhe e makinës.
Ai informoi se për mjetet deri në 1800 CC, njohur në gjuhën e përditshme si 1.8 kubikë, polica shënon rënie deri në 10%.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) bën të ditur se janë 959 416 mjete motorike të regjistruara në Shqipëri deri në fund 2024-ës, por vetëm 17 023 janë të gjeneratës së fundit, me deri në 3 vite qarkullim.
Burimi: ATA