Rritja e tregut të sigurimeve u ngadalësua ndjeshëm në muajin shkurt.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), primet e shkruara bruto për dy muajt e parë të vitit kishin vlerën e 3.8 miliardë lekëve.
Dymujori janar-shkurt u mbyll me një rritje të primeve të shkruara bruto prej 6.9%, nga 11.4% që kishte qenë rritja e tregut për janarin.
Shifrat e shkurtit tregojnë një rënie me spektër pak a shumë të gjerë në tregun e sigurimeve të detyrueshme, ndërsa tregu është gjithmonë e më shumë i varur nga sigurimet e detyrueshme motorike.
Të dhënat e AMF-së tregojnë se, ndërsa tregu i Jo-Jetës u rrit me vetëm 6% për 2-mujorin, primet e shkruara bruto për sigurimet e detyrueshme motorike u rritën me 12.2% krahasuar me një vit më parë. Sigurimet e detyrueshme motorike sollën 66.5% të primeve të shkruara bruto të tregut të Jo-Jetës, nga 62.8% një vit më parë.
Efektin kryesor në rritje vazhdon të japë shtrenjtimi i çmimit mesatar të sigurimit të brendshëm TPL, pas hyrjes në fuqi të rregullores së re, që parashikon prime të diferencuara mbështetur në disa faktorë rreziku. Primet nga sigurimi TPL u rritën me 12.5% krahasuar me një vit më parë, ndërsa rritje të përafërt shënoi edhe Kartoni Jeshil, me 11.2%.
Pesha e sigurimeve vullnetare në dy muajt e parë të vitit paraqitet në rënie të ndjeshme, duke filluar nga produkti kryesor, sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës. Primet e shkruara bruto për këtë produkt ranë me 22.3% krahasuar me një vit më parë.
Pesha e këtij sigurimi në treg zbriti në 7.7% të primeve të Jo-Jetës (nga 10.5% një vit më parë), pothuajse në të njëjtën masë me sigurimin Kasko të automjeteve. Por, edhe sigurimi Kasko e ka ngadalësuar rritjen dhe për dy muajt e parë të vitit u rrit me 5.6%. Ky produkt në vitet e fundit ka marrë shtysë sidomos nga biznesi i makinave me qira, për shkak të kërkesës në rritje nga turistët e huaj.
Tregu i sigurimit të Jetës edhe këtë vit po shfaq ritme më të mira rritjeje krahasuar me segmentin e Jo-Jetës. Primet e sigurimit të Jetës për dy muajt e parë të vitit u rritën me 15.5%. Megjithatë, pesha e segmentit të jetës në treg ngelet e ulët, me 9.4% të primeve të shkruara bruto.
Edhe tregu i sigurimit të Jetës është thellësisht i varur nga produkti faktikisht i detyrueshëm i sigurimit të Jetës së Debitorit, që sjell më shumë se 75% të primeve të shkruara bruto. Ky produkt është kusht i bankave dhe institucioneve financiare të huadhënies. Rritja e kredisë, sidomos asaj për shtëpi, në vitet e fundit ka ndikuar në mënyrë direkte edhe në rritjen e primeve të sigurimit të Jetës së Debitorit.
Gjatë muajit shkurt, tregu ka ulur ndjeshëm edhe vlerën e dëmeve të paguara. Ndërsa për janarin dëmet e paguara bruto ishin në rritje me 13%, për periudhën janar-shkurt ato rezultuan në rënie vjetore me 1.3%.
Efektin kryesor e dha ulja e ndjeshme e dëmeve të paguara nga shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës, me 2% më pak krahasuar me 2-mujorin e parë 2024.
Burimi: /Monitor(https://monitor.al/sigurimet-vullnetare-perseri-ne-renie-tregu-i-kapur-pas-sigurimeve-te-detyrueshme-motorike/)