250 mln lekë për kompensimin e dëmeve nga aksidentet – AMF miraton vendimin për vitin 2025. A do te jetë i mjaftueshëm?
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar fondin e kompensimit nga dëmet në sektorin e transportit për vitin 2025, që do të jetë në masën e 250 milionë lekëve.
Në vendim parashikohet edhe që provigjonet e dëmeve të fondit të kompensimit, të krijohen në vlerën prej 552 milionë lekësh, të cilat do të pasqyrohen nga shoqëritë e sigurimit, në pasqyrat financiare të vitit 2024. Por, a është i mjaftueshëm ky fond prej 250 milionë lekësh për të paguar të gjitha dëmet?
Në 2024, masa e kontributit për Fondin e Kompensimit ishte 270 milionë lekë. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, dëmet e paguara nga Fondi i Kompensimit gjatë vitit të kaluar rezultuan në 350 milionë lekë, rreth 80 milionë më tepër se shuma fillestare e përcaktuar e Fondit. Nga ana tjetër, dëmet e mbetura pezull nga ky Fond, pra që nuk janë paguar akoma për shkaqe të ndryshme, kapën vlerën e 688 milionë lekëve në vitin që lamë pas.
Byroja Shqiptare e Sigurimit është administruese e Fondit të Kompensimit, përgjegjëse për pagesën e dëmeve të aksidenteve automobilistike, shkaktuar nga mjete të pasiguruara apo të paidentifikuara.
Palët e dëmtuara në një aksident automobilistik brenda territorit të Shqipërisë, shkaktuar nga një mjet i pasiguruar apo i paidentifikuar, kanë të drejtën e dëmshpërblimit nga Byroja Shqiptare e Sigurimit, e konkretisht Fondi i Kompensimit.
Shoqëritë e sigurimit, anëtare të Byrosë Shqiptare të Sigurimit, të cilat ushtrojnë veprimtari në vendin tonë në sigurimin e detyrueshëm motorik, janë të detyruara të kontribuojnë cdo vit financiarisht në fondin e kompensimit, në përpjestim të drejtë me primet bruto, të shkruara në këto lloj sigurimesh, në vitin paraardhës.
Burimi: Scan Tv