Skip to main content

Sot, në ambientet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, z. Eduard Shalsi, prezantoi Kryetarin e ri të Bordit të AMF, z. Saimir Tola, në prani të drejtuesve të institucionit. Emërimi i z. Tola në këtë detyrë u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë me vendimin nr. 9/2025, më datë 17 Shkurt 2025.

Gjatë fjalës së tij, z. Shalsi theksoi rëndësinë e këtij emërimi që plotëson Bordin e Autoritetit si organi më i lartë drejtues dhe vendimmarrës, ndërsa shprehu mbështetjen e Komisionit ndaj Autoritetit në forcimin e mëtejshëm të pavarësisë dhe funksioneve të tij mbikëqyrëse dhe rregullatore. “AMF është një institucion i rëndësishëm rregullator për tregjet financiare jobankare dhe si i tillë kompletimi i Bordit me emërimin e z. Saimir Tola uroj të kontribuojë pozitivisht në konsolidimin e mëtejshëm të Autoritetit, si edhe në ruajtjen e profesionalizmit dhe integritetit të gjithsecilit,” u shpreh z. Shalsi.

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF, zj. Mimoza Kaçi falënderoi Komisionin për Ekonominë dhe Financat për bashkëpunimin dhe rekomandimet e dhëna përmes rezolutave, që kanë shërbyer si udhërrëfyes për punën e Autoritetit. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Bordin për vijimin e punës në përmbushje të misionit dhe objektivave të institucionit. “Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për përafrimin e kuadrit ligjor dhe avancimin e standardeve me praktikat më të mira europiane dhe ndërkombëtare, si dhe në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të tregjeve nën mbikëqyrje”.

Kryetari i Bordit të AMF, z. Saimir Tola, falënderoi Kuvendin për besimin dhe shprehu angazhimin për të kontribuar në forcimin e mëtejshëm të rolit mbikëqyrës dhe rregullator të institucionit. “Autoriteti ka një rol kyç në mbikëqyrjen dhe rregullimin e tregjeve financiare jobankare. Të gjithë bashkë do të vijojmë të japim kontribut për rritjen e besimit në këto tregje dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre,” theksoi z. Tola.

Autoriteti mbetet i përkushtuar për të garantuar stabilitetin financiar, transparencën, mbrojtjen e konsumatorëve dhe investitorëve dhe rritjen e besimit në tregjet financiare jobankare.

Leave a Reply