Rritja e kreditimit dhe sidomos kredisë për individët ka ndikuar direkt në rritje të sigurimit të Jetës. Sipas të dhënave të publikuara nga AMF, primet e sigurimit të Jetës për periudhën janar-korrik 2024 arritën në afro 1.18 miliardë lekë, me një rritje prej mbi 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Produkti që mban peshën kryesore të primeve në sigurimin e Jetës është “Jeta e Debitorit”, një lloj sigurimi që kërkohet me detyrim nga bankat në rastin e dhënies së kredive, qofshin këto hipotekare për blerje shtëpie, ose edhe në rastin e kredive konsumatore. Për periudhën janar-korrik 2024, primet e shkruara bruto në këtë produkt sigurimi arritën në 925 milionë, me një rritje prej 24.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky produkt i lidhur direkt me kreditë bankare është bërë edhe më dominues në tregun e Jetës, duke zënë aktualisht 78.4% të tregut, nga 71.3% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tregu i Jetës mbetet i vogël edhe ende pak i zhvilluar për nga përmasat, edhe pse produktet e ofruara nga shoqëritë e sigurimit që operojnë në këtë treg nuk mungojnë.
Katër shoqëri sigurimi operojnë aktualisht në tregun e Jetës, ndërkohë që së fundmi AMF ka dhënë autorizimin paraprak edhe për një tjetër shoqëri Jete, në pronësi të grupit vjenez të sigurimeve Vienna Insurance Group, i cili pritet të licencohet së shpejti dhe me gjasë do të nisë aktivitetin brenda këtij viti, duke u bërë kështu shoqëria e pestë që operon në tregun e Jetës.
Burimi: Ekofin.al