Unaza e Madhe e Tiranës me një gjatësi totale 28.7 kilometra, pritet të çlirojë kryeqytetin nga trafiku i rënduar. Shpejtësia e projektuar e lëvizjes është 90 km në orë. 

TIRANË– Është hapur tërësisht për qarkullim Unaza e Madhe e Tiranës, e cila pritet të çlirojë kryeqytetin nga trafiku i rënduar.

Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, bashkë me drejtorin e ARRSH-së, Gentian Xhylin, dhe zëvendëskryeministren Belinda Ballukun, i cili që ndoqi nga afër hapjen e Unazës. 

Unaza e Madhe e Tiranës ka një gjatësi totale 28.7 kilometra. Shpejtësia e projektuar e lëvizjes është 90 km në orë.

Kjo unazë do të jetë në shërbim të të gjithë automjeteve, të cilat aksesojnë Tiranën nga të gjitha hyrjet jashtë qytetit, si nga Rruga e Arbrit, ashtu edhe nga rruga Tiranë-Elbasan apo Tiranë-Durrës.

Unaza e Madhe e Tiranës, krahas korsive të shpejtësisë së automjeteve, ka pjesë të projektit edhe elementët urbanë, si ndriçim dhe gjelbërim, duke qenë se kalon përmes zonave të banuara. Për këmbësorët ka gjithashtu hapësira të dedikuara.

Pjesë e projektit janë disa vepra arti, 4 kryqëzime në disnivel, 1 viadukt me gjatësi 420 m, 2 ura mbi lumin e Tiranës me gjatësi 280 dhe 130 m.

Janë ndërtuar gjithashtu mure mbajtëse dhe pritëse, si dhe janë realizuar punime për mbrojtjen lumore me pilota, punime për spostimin e linjave të kanalizimeve, rrjetit të ujësjellësit dhe linjat e tensionit të mesëm dhe të lartë.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, Unaza do te kishte përfunduar më shpejt, por një sërë faktorësh i penguan punimet. Aktualisht, në terren po punohet për detajet e fundit të projektit, duke përfshirë sinjalistikën dhe të tjerë elementë të sigurisë rrugore.

Burimi: Shqiptaria.com