Në emisionin “Alert,” moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, i ftuar ishte ekspert i industrisë së sigurimeve, Erald Hysa. U diskutua për një ndryshim të rëndësishëm që AMF po sjell në tregun e sigurimeve, i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar 2025. Sipas këtij ndryshimi, kompanitë e sigurimeve do të kenë mundësinë të përdorin një faktor të ri, që varion nga 0 në 9, për të rregulluar çmimin e sigurimit për klientët. Një vlerë më e ulët e këtij faktori e ul çmimin e sigurimit, ndërsa një vlerë më e lartë e rrit atë.

Ky ndryshim lejon kompanitë të përshtatin çmimet më lirisht, pa kërkuar miratimin e AMF-së për çdo ndryshim, siç kërkohej më parë dy herë në vit. Kjo mund të krijojë situata ku dy persona që blejnë të njëjtin siguracion për të njëjtën pronë në momente të ndryshme mund të paguajnë çmime të ndryshme, në varësi të klasifikimit si klient preferencial nga kompania e sigurimeve.

Erald Hysa theksoi se ky ndryshim mund të nxisë qytetarët të angazhohen më shumë në sigurimin e aseteve të tjera, sepse do të kenë mundësi për tarifa më të ulëta nëse tregohen të përgjegjshëm dhe menaxhojnë rrezikun me kujdes.

Burimi: Ora News

www.targaime.com