Nga viti 2025 në tregun shqiptar do të duhet të nisë përdorimi i biokarburanteve, teksa pas përmbylljes së konsultimit publik të projektligjit rreth një muaj më parë, pritet miratimi në Kuvend për hyrjen në fuqi.
Sipas draftit, sasia minimale vjetore në treg e biokarburanteve dhe e lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport, duhet të jetë e përcaktuar me nje skemë rritëse deri në 2030, me target 7%.
Sipas relacionit shoqërues të projektligjit përqindja e biokarburanteve në mishelën e karburanteve propozohet te rritet gradualisht me nga 1% për çdo vit duke filluar nga viti i ardhshëm, për të arritur në 7% në vitin 2030.
Ndërkaq, një pikë tjetër e projektligjit është krijimi i politikave nxitëse për kultivimin e bimëve energjetike në Shqipëri, për të mbrojtur mjedisin nëpërmjet respektimit të kritereve të qëndrueshmërisë për prodhimin e biokarburanteve, biolëngjeve dhe biogazeve. Sipas ekspertëve, ndër speciet bimore që mund të përdoren për prodhimin e biokarburanteve janë: Soja, misri, kallami i sheqerit, luledielli, eukalipti, palmat, etj.
Paralelisht, projektligji parashikon zbatimin e regjimeve fiskale lehtësuese për biokarburantet. Më konkretisht, këto produkte do të përjashtohet nga taksat dhe tarifat, me qëllim konkurrimin me çmimin dhe rritjen e konsumit.
Sipas dokumentit biokarburantet dhe lëndët e tjera djegëse të rinovueshme për transport, do të përjashtohen nga akciza prej 38.9 lekë/litër, nga taksa e qarkullimit prej 27 lekë/litër, si dhe nga taksa e karbonit prej 3 lekë/litër. Ndërkohë që, për totalin e tyre përfitohet edhe nga mosaplikimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar prej 20% apo 13.78 lekë/litër.
Kjo do të thotë se biokarburantet do kushtojnë rreth 82.68 lekë/litër më lirë se karburantet e tjerë në treg. Kjo nuk është hera e parë që synohet të miratohet një ligj i ngjashëm, por deri më tani nismat ligjore nuk janë finalizuar.
Burimi: SCAN TV
www.targaime.com