Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, znj. Mimoza Kaçi, zhvilloi një seancë dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë lidhur me miratimin e rregullores “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.  

Gjatë prezantimit, znj. Kaçi theksoi se kjo rregullore shënon një hap të rëndësishëm në tregun e sigurimeve të detyrueshme motorike në Shqipëri. Ajo shpjegoi se rregullorja e re, e cila hyn në fuqi në 1 Janar 2025, sjell risi nëpërmjet sistemit të ri të aplikimit të faktorëve të rrezikut në përcaktimin e primit të sigurimit të detyrueshëm motorik. Në seancë u diskutua mbi ndikimin e faktorëve të rinj të riskut, të cilët përfshijnë historikun e dëmeve, si dhe faktorë të tjerë që lidhen me drejtuesin dhe mjetin.

Primi i sigurimit i diferencuar sipas nivelit të rrezikut, e bën sistemin e tarifimit më të drejtë, më transparent, inkurajon sjellje të kujdesshme nga drejtuesit e automjeteve, parandalon abuzimet si dhe forcon mbrojtjen e konsumatorëve dhe nxit konkurrencën në treg.

Burimi: Amf