Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, znj. Mimoza Kaçi prezantoi në Kuvendin e Shqipërisë raportin mbi veprimtarinë e Autoritetit gjatë vitit 2023. Znj. Kaçi bëri një pasqyrim të ecurisë së tregjeve nën mbikëqyrje, zhvillimeve kryesore të vitit të kaluar, si dhe paraqiti disa nga drejtimet kryesore ku do të përqendrohet veprimtaria e Autoritetit për periudhën në vazhdim.
Në fjalën e saj znj. Kaçi evidentoi se gjatë vitit 2023 tregjet nën mbikëqyrje ecën në një trajektore të stabilizuar zhvillimi dhe rritje, me tregues të mirë të shëndetit financiar, ku totali i aseteve arriti vlerën prej rreth 108 miliardë lekë ose 12% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi rëndësinë e miratimit të dokumentit të strategjisë institucionale të Autoritetit për periudhën 2023-2027, si një udhërrëfyes i rëndësishëm në përcaktimin e objektivave dhe prioriteteve strategjike të AMF.
Znj. Kaçi e cilësoi të suksesshëm vitin 2023, i cili shënoi progres në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke përfunduar me sukses procesin e screening, në të cilin AMF drejtoi Kapitullin 9 “Shërbimet financiare”. Në Progres Raportin e Komisionit të BE për Kapitullin 9, Shqipëria shfaqet më e përparuar krahasuar me vendet që kanë hapur më herët negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Përgjatë vitit të kaluar është avancuar drejt përafrimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe rregullotor me direktivat evropiane, duke përfshirë miratimin e Ligjit “Për fondet e pensionit privat” të përafruar me direktivën evropiane IORP II, i cili pritet të ndikojë në zgjerimin e tregut të fondeve të pensionit privat në vend. Gjithashtu, aktet nënligjore të miratuara në fushën e tregjeve të kapitalit rrisin transparencën dhe integritetin e tregut. Miratimi i rregulloreve për fondet e investimeve ka krijuar mundësi të reja për qytetarët shqiptarë që të investojnë në fonde të licencuara të BE-së. Gjithashtu, në tregun e sigurimeve ka nisur implementimi i udhërrëfyesit për zbatimin e regjimit evropian të mbikëqyrjes Solvency II.
Më tej, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv nënvizoi raportin e vlerësimit të miratuar nga Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS) në 2023, pas një procesi të gjatë dhe rigoroz vlerësimi mbi përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare në Sigurime, ku rezultoi një nivel i lartë përputhshmërie. Gjatë vitit 2023, Autoriteti vijoi thellimin e bashkëpunimit me organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, rregullatorët e vendeve të rajonit dhe të BE-së, me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe përfitimin e asistencës teknike në drejtim të rritjes së efektivitetit të mbikëqyrjes dhe implementimit të praktikave më të mira.
Në përfundim të fjalës së saj, Znj. Kaçi theksoi drejtimet kryesore të veprimtarisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin në vijim, të cilat bazohen në dokumentin “Strategjia 2023-2027”. Në fokus do të jenë kontributi i mëtejshëm në forcimin e stabilitetit financiar, përafrimi ligjor dhe rregullator me acquis të BE, mbështetja e zhvillimit, modernizimin dhe digjitalizimit të tregjeve, mbrojtja e konsumatorit si dhe ndërmarrja e nismave për financat e gjelbra.
Burimi: AMF