TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Policia Rrugore njoftoi sot se gjatë 48 orëve të fundit ka vendosur 503 gjoba për parakalime të gabuara, dhe 703 për shpejtësi tej normave të lejuara.
Policia Rrugore njofton se janë vendosur gjoba që variojnë nga 1000-5000 lekë.
“Si rezultat i monitorimeve, gjatë 48 orëve të fundit, në shumë akse rrugore janë konstatuar nëpërmjet dronit, 503 raste të parakalimeve të gabuara. Drejtuesit e mjeteve që kanë kryer këto parakalime janë ndëshkuar me masa administrative nga 3000 deri në5 000 lekë të rinj”, njofton Policia.
“Gjithashtu, gjatë monitorimeve janë evidentuar: 703 raste të shpejtësisë tej normave të lejuara. Drejtuesit e mjeteve janë ndëshkuar me masa administrative 1000 – 4000 lekë të rinj, pa sanksionin e pezullimit të lejes së drejtimit; 51 raste të shpejtësisë mbi normat e lejuara. Drejtuesit e mjeteve janë ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit dhe zbritje deri në 8 pikë nga patenta”, përfundon njoftimi i Policisë.
Policia nënvizon se monitorimet do të vijojnë intensivisht në ditët në vazhdim, ndaj Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.
Burimi: Atsh