Lamborghini mund të shesë 10 mijë makina këtë vit për herë të parë, deklaroi CEO i saj, ndërkohë që prodhuesi i makinave sportive luksoze raportoi rritje të fitimeve dhe të ardhurave në 6-mujorin e parë.
Marka italiane, degë e shtëpisë automobilistike gjermane Volkswagen, shiti 5.341 makina në periudhën janar – qershor, me rritje 4.9% krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tregu kryesor me 1.625 dërgesa.
CEO Stephan Winkelmann deklaroi se nuk është e lehtë të bësh parashikime për shkak të paqartësive të tregut, duke përfshirë edhe lëndët e para, por shtoi se shitja e 10 mijë makinave këtë vit është një “objektiv i realizueshëm”.
“Nuk është një objektiv që jemi të detyruar ta arrijmë, por është i rëndësishëm për të treguar gjendjen e kompanisë dhe dëshirën e klientëve për të blerë makinat tona” – deklaroi Winkelmann.
I mbështetur nga suksesi i SUV-it të tij Urus, që kushton rreth 200.000 euro (219.900 dollarë) para taksave, vitet e fundit Lamborghini ka zgjeruar prodhimin e tij, duke u mbështetur në kërkesën e qëndrueshme nga adhuruesit e makinave. Në vitin 2022, dërgesat ishin mbi 9,200 automjete.
Shtëpia automobilistike rivale, Ferrari, selia qendrore e së cilës ndodhet në një distancë në më pak se 40 kilometra, dërgoi më shumë se 13.200 makina vitin e kaluar.
Në 6-mujorin e parë, të ardhurat e Lamborghini u rritën me 6.7% në 1.42 miliardë euro dhe fitimi operativ u rrit me 7.2%, duke arritur shifrën rekord 456 milionë euro.
Lamborghini do të investojë 1.9 miliardë euro deri në vitin 2027 për kalimin drejt makinave hibride dhe elektrike, por parashikohen investime të tjera.
Në fillim të vitit, shtëpia automobilistike prezantoi modelin e parë hibrid plug-in, Revuelto, që i shtohet modelit Huracan me 10 cilindra dhe Urus së gamës aktuale.
Vitin e ardhshëm do të bëhet tërësisht hibride me makinën e re Urus dhe një model të ri sportiv që do të zëvendësojë Huracan.
Lamborghini parashikon të prezantojë modelin tërësisht elektrik në vitin 2028 – tre vite pas modelit të Ferrari, ndjekur nga një model me bateri të Urus, në vitin 2029.
“Ajo që ka rëndësi është të jemi aty në momentin e duhur, kur e dimë se jemi në më të mirën tonë dhe tregu është gati”, tha Winkelmann.
Ai shtoi se përdorimi i të ashtuquajturve karburante elektronike është një mundësi, por vetëm për modelet sportive të markës.