Skip to main content

Saimir Tola iu propozua seancës plenare nga Komisioni Kuvendor i Ekonomisë, pasi u përzgjodh nga një listë prej gjashtë kandidatësh që aplikuan në Kuvendin e Shqipërisë, listë ku përveç tij bënin pjesë edhe Artur Ribaj, Emis Cerava, Julian Naqellari, Petrit Perhati dhe Valbona Sanxhaktari.

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë votoi këtë javë kandidaturën e Saimir Tolës për vendin vakant të anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), që do të mbajë njëkohësisht edhe detyrën e kryetarit të këtij Bordi.

Saimir Tola është pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike në Universitetin Politeknik të Tiranës, në lëndët e Analizës Numerike dhe Analizës Matematike, një formim akademik i lidhur me aktuaristikën.

Eksperienca e mëparshme direkte në lidhje me tregjet e mbikëqyrura nga AMF është e kufizuar në pozicionin e anëtarit joekzekutiv të Bordit Drejtues (me kohë të pjesshme) në kompaninë e sigurimeve INSIG për Maqedoninë e Veriut, në periudhën 2014-2016, periudhë kur INSIG ishte ende në pronësi të shtetit shqiptar.

Saimir Tola iu propozua seancës plenare nga Komisioni Kuvendor i Ekonomisë, pasi u përzgjodh nga një listë prej gjashtë kandidatësh që aplikuan në Kuvendin e Shqipërisë, listë ku përveç tij bënin pjesë edhe Artur Ribaj, Emis Cerava, Julian Naqellari, Petrit Perhati dhe Valbona Sanxhaktari.

Sipas burimeve nga Kuvendi dhe AMF, në fillim të procesit mazhoranca ishte e orientuar të mbështeste kandidaturën e Valbona Sanxhaktarit, por pas dëgjesave me kandidatët pati një ndryshim të qëndrimit dhe me propozim të kryetarit të Komisionit Eduard Shalsi, seancës iu propozua kandidatura e Saimir Tolës. Posti i kryetarit të Bordit të AMF-së është vakant që prej datës 22 korrik të vitit të kaluar, pas përfundimit të mandatit të Olsi Çokut.

Fillimisht, në tetor 2024 Komisioni Kuvendor i Ekonomisë shqyrtoi dhe miratoi Pajtim Melanin si kandidat të vetëm për këtë pozicion, duke e propozuar për votim në seancë plenare. Megjithatë, kandidatura e Melanit u rrëzua në votim. Rrjedhimisht, Kuvendi i Shqipërisë rihapi garën për këtë pozicion në mesin e muajit nëntor 2024.

Sipas ligjit “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, Kryetari i Bordit emërohet nga Kuvendi, me propozimin e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, pas një procedure përzgjedhëse. Mandati i çdo anëtari të Bordit, duke përfshirë kryetarin është 5 vjet dhe mund të rizgjidhen për një mandat të dytë pas përfundimit të mandatit të tyre.

Kryetari i Bordit të AMF-së është anëtar joekzekutiv dhe jo me kohë të plotë. Sipas ligjit, Kryetari i Bordit ka kompetencë të thërrasë dhe drejtojë mbledhjet e Bordit, të paraqesë rendin e ditës, të urdhërojë ngritjen e komiteteve të kontrollit, objektin e punës, si dhe afatet për shqyrtimin e çështjes, t’i propozojë Bordit ngritjen e komiteteve këshillimore, me qëllim hartimin e politikave për mbarëvajtjen e punës së Autoritetit, si edhe kompetenca të tjera, të akorduara me vendimmarrje të vetë Bordit.

Burimi:  Monitor

www.targaime Siguracione online

 

Leave a Reply