Skip to main content

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat nisi sot shqyrtimin e ndryshimeve në ligjin “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, propozuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Zëvendësministrja e Financave, Adela Xhemajli bëri të ditur se synohet përmirësimi dhe plotësimi i kuadrit ligjor në tregun e sigurimeve, ku si pasojë e zbatimit 10-vjeçar të ligjit është konstatuar nevoja e kryerjes së disa ndërhyrjeve për rregullim të mëtejshëm.

Gjithashtu, theksoi ajo, synohet të adresohen dhe të pasqyrohen rekomandimet e lëna nga Shoqata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Sigurimeve IAIS, në kuadër të procesit të vlerësimit të përputhshmërisë së standardeve dhe praktikave të AMF-së me parimet themelore në sigurime (ICP).

“Ndryshimet e propozuara janë hapi i parë drejt procesit të kalimit të tregut të sigurimeve në regjimin e aftësinë paguese II/Solvency II. Zbatimi i këtij regjimi është angazhim i Autoritetit në kuadër të përafrimit të legjislacionit me direktivat e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e mbikëqyrjes”, tha ajo.

Solvency II është regjimi i avancuar europian i mbikëqyrjes dhe parashikon kërkesa të reja dhe komplekse, në nivel teknik dhe organizativ, për shoqëritë e sigurimit dhe AMF-në.

Tri shtyllat kryesore përbërëse të Solvency II janë: kërkesat sasiore që kanë të bëjnë me kapitalin dhe aftësinë paguese, kërkesat për qeverisjen korporative dhe administrimin e rrezikut të shoqërive, si edhe kërkesat për publikimin e informacionit dhe transparencën.

Burimi: ATA

www.targaime.com

Leave a Reply