Për pozicionin vakant të anëtarit të bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, i cili do të jetë në të njëjtën kohë edhe kryetar bordi, janë vetofruar 6 kandidatë. Emis Çerava, Julian Naqellari, Petrit Perhati, Artur Ribaj, Saimir Tola dhe Valbona Sanxhaktari janë personat që kanë shfaqur interes për të qenë pjesë e Autoritetit.
Me përfundimin e mandatit të Olsi Çokut dhe pas mbylljes së një raundi me 2 kandidatura, 1 prej të cilëve u tërhoq dhe 1 u refuzua nga Kuvendi, në mesin e muajit nëntor, Kuvendi i Shqipërisë rihapi aplikimet për këtë pozicion.
Së fundmi, në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat janë zhvilluar intervistat me të gjithë kandidatët, të cilët bënë një prezantim të eksperiencës së tyre dhe ju përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të Komisionit.
Të gjithë personat e vetofruar i plotësojnë kriteret për të qenë kandidat për anëtar dhe kryetar bordi, kritere të cilat përfshijnë të qenurit shtetas shqiptar, të kenë përfunduar ciklin e plotë të studimeve universitare në ekonomi, juridik, ose të lidhur me shkencën e aktuarëve, të kenë përvojë profesionale të paktën 7 vjeçare, nga e cila të paktën 5 vite në financë-kontabilitet, administrim i shoqërive tregtare, këshillim ligjor i shoqërive tregtare, hartim legjislacioni, shkencë e aktuarëve, sigurime shoqërore dhe pensione, e të tjera.
Kryetari i Bordit organizon dhe administron veprimtarinë e Autoritetit dhe të administratës së këtij Autoriteti, me përjashtim të veprimtarive, që janë në kompetencë të nënkryetarëve apo anëtarëve të tjerë të Bordit, si dhe zgjidhet për një afat 5 vjeçar.
Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat do të vijojë me shqyrtimin e kandidaturave për zgjedhjen e personit më të përshtatshëm për pozicionin, i cili më pas do të emërohet nga Kuvendi.
Burimi:Scan.tv