Vendimi i përbashkët i disa ministrive greke për sigurimin e detyrueshëm të bizneseve kundër fatkeqësive natyrore ka hyrë në fuqi.
Neni, i miratuar më 1 korrik 2024, parashikonte detyrimin për të siguruar objektet dhe pajisjet e bizneseve, të paktën 70% të totalit të aseteve, kundër rreziqeve të zjarrit në pyje, përmbytjeve dhe tërmeteve.
Vendimi i përbashkët ministror përfshin bizneset me të ardhurat bruto vjetore mbi 500,000 euro. Nga sigurimi i detyrueshëm përjashtohen organet e sektorit publik dhe ndërtimet pa leje që nuk marrin ndihma shtetërore. Gjithashtu, anijet, trenat, avionët dhe mjetet e tjera të transportit, si dhe të gjitha llojet e infrastrukturës, përjashtohen nga vendimi.
E njëjta gjë vlen dhe për kulturat bujqësore, prodhimin bimor, kultivimin e peshkut dhe bagëtinë, si dhe kompanitë e sapokrijuara që ende nuk kanë publikuar pasqyra financiare.
Përveç kësaj, parashikohet një procedurë përjashtimi për ato biznese që nuk mund të sigurohen, për disa ose të gjitha asetet e tyre.
Pas marrjes së dy përgjigjeve negative ndaj kërkesave për sigurim nga kompani të ndryshme, ndërmarrjet në fjalë përjashtohen nga detyrimi i sigurimit për një periudhë dyvjeçare. Nëse, pas kësaj periudhe, ato marrin dy përgjigje të tjera negative, përjashtimi i tyre nga detyrimi i sigurimit për fatkeqësitë natyrore bëhet i përhershëm.
Një gjobë administrative e pavarur prej 10,000 eurosh vendoset nga Njësia e Kontrollit të Tregut për bizneset që nuk u përmbahen detyrimeve të Dekretit të Përbashkët Ministror. Ndërmarrja përgjegjëse duhet të kryejë sigurimin brenda 30 ditëve nga njoftimi, përndryshe gjoba do të dyfishohet.
Vendimi është pjesë e një strategjie më të gjerë kombëtare, që synon të harmonizojë ndihmën shtetërore dhe tregun privat të sigurimeve kundër rrezikut të fatkeqësive natyrore.
Burimi: Scantv