Skip to main content

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Primet e shkruara bruto nga sigurimi i detyrueshëm motorik në Shqipëri arritën 3,38 miliardë lekë për tremujorin e parë të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 12,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), që konfirmojnë trendin pozitiv në tregun e sigurimeve motorike.

Produkti më i rëndësishëm në këtë kategori, sigurimi i detyrueshëm i automjetit për përgjegjësi ndaj palëve të treta (MTPL e brendshme), regjistroi një rritje prej 12,94% të vëllimit të primeve të shkruara bruto gjatë periudhës janar-mars 2025, ndërsa numri i kontratave u rrit me 6,17%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2024.

Rritje ka shënuar edhe sigurimi “Karton jeshil”, i cili blihet kur automjetet shqiptare udhëtojnë jashtë vendit. Vëllimi i primeve të shkruara bruto për këtë produkt arriti në 464,7 milionë lekë, me një rritje vjetore prej 9,23%, ndërkohë që numri i kontratave u rrit me 19,79%. Rritja e interesit lidhet edhe me uljen e çmimeve për destinacione të caktuara, pasi nga 1 shkurti 2025 nisi zbatimi i zbritjes për udhëtimet drejt Malit të Zi, dhe nga 1 prilli për Maqedoninë e Veriut.

Në të kundërt, sigurimi kufitar, që mbulon automjetet me targa të huaja që qarkullojnë në Shqipëri, ka pësuar një ngadalësim. Ndonëse vëllimi i primeve të shkruara bruto ka shënuar një rritje modeste prej 0,1%, numri i kontratave ra me 1,1% në krahasim me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Këtë vit ka hyrë në fuqi edhe skema e re e sigurimit motorik, e cila ndryshon mënyrën e llogaritjes së primit të sigurimit.

Sipas AMF-së, çmimi i sigurimit tashmë përcaktohet mbi bazën e historikut të dëmeve, përfshirë rastet kur shkaktari i aksidentit nuk figuron në policën e sigurimit, si dhe faktorë të tjerë si fuqia motorike e automjetit, mosha e të siguruarit, përvoja në drejtim, vjetërsia dhe qarku i regjistrimit të automjetit, si dhe statusi i përdoruesit (subjekt apo individ).

Ky zhvillim pritet të sjellë një personalizim më të madh të primit të sigurimit, duke stimuluar drejtuesit me histori pozitive dhe duke përmirësuar disiplinën në tregun e sigurimeve.

Burimi: ATA

Leave a Reply