TIRANË, 30 maj/ATSH/ Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Mimoza Kaçi, mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Sigurimeve 2025, organizuar nga Shoqata Kombëtare e Komisionerëve të Sigurimeve (NAIC), në Uashington D.C. Ky event global në fushën e sigurimeve, mblodhi drejtues të lartë të autoriteteve rregullatorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe liderë të industrisë së sigurimeve për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit në tregjet globale të sigurimeve.
Në panelin me temë “Zhvillimi i Produkteve dhe Teknologjisë”, Kaçi solli përvojën e Shqipërisë, si pjesë e rajonit të vendeve të Evropës Juglindore, në transformimin e tregut të sigurimeve drejt dixhitalizimit dhe përfshirjes më të gjerë financiare.
Ajo theksoi se: “Shqipëria dhe rregullatorët e Evropës Juglindore mund të luajnë një rol thelbësor për avancimin digjital të tregut të sigurimeve duke ndjekur standardet ndërkombëtare dhe modele rregullatore të përshtatura për realitetin e tregjeve në zhvillim, për të garantuar transparencë dhe për të forcuar mbrojtjen e konsumatorit.”
Duke u ndalur tek strategjia kombëtare, Kaçi nënvizoi se në Shqipëri, dixhitalizimi nuk përfaqëson vetëm një përmirësim teknologjik, por vepron si një katalizator strategjik në nivel kombëtar. Në këtë kontekst, edhe në sektorin e sigurimeve, ai luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e gjithëpërfshirjes financiare dhe në forcimin e funksionit mbrojtës të këtij tregu.
Paneli u drejtua nga Justin Zimmerman, Komisioner i Departamentit të Bankave dhe Sigurimeve të shtetit New Jersey. Pjesëmarrës të tjerë në panel ishin edhe Ekhosuehi Iyahen, Sekretare e Përgjithshme e Forumit për Zhvillimin e Sigurimeve, dhe Suzette Vogelsang, Eksperte e Lartë në Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Ky përfaqësim në një forum prestigjioz ndërkombëtar nënvizon angazhimin dhe rolin proaktiv të Autoritetit në mbështetje të avancimeve teknologjike dhe digjitalizimit në tregje financiare.
Burimi; ATA