Skip to main content

Kompanitë që operojnë në tregun e sigurimeve e mbyllën vitin 2024 me 23.2 milionë Euro fitim, 4.6 milionë Euro ose 16.5% më pak se në vitin 2023, kur kompanitë fituan 27.8 milionë Euro.

Si tregu më i madh, tregu i Jo-Jetës, ku operojnë 8 shoqëri, realizoi fitime prej 20.4 milionë Euro për shoqëritë, ndërsa tregu i Jetës rreth 2.8 milionë euro. Të dy segmentet e tregut shënuan rënie të fitimeve në vitin 2024, por rënia më e ndjeshme ishte në tregun e Jo-Jetës.

Bazuar në të dhënat e AMF, rezultati financiar në tregun e Jo-Jetës për vitin 2024 u ndikua kryesisht nga rritja e primeve të shkruara bruto në njërën anë, të cilat arritën në rreth 224 milionë Euro, si edhe nga rritja e dëmeve të paguara në anën tjetër. Gjithashtu edhe shpenzimet operative shënuan një rritje me 10.6 milionë Euro, duke sjellë ndikime në rezultatin financiar të shoqërive.

Një situatë e ngjashme u vërejt edhe në tregun e Jetës, shumë më i vogël nga përmasat, ku rezultati financiar, vlerëson AMF, u ndikua nga rritja e primeve të shkruara bruto, që arritën në 20.7 milionë Euro në fund të vitit 2024, ndërkohë që rritja e shpenzimeve operative kufizoi fitimet për 4 siguruesit e Jetës.

Në anën tjetër, të ardhurat nga investimet e realizuara nga shoqëritë kanë patur ecuri pozitive dhe kanë rezultuar në vlerën 9.5 milionë Euro, ndikuar kryesisht nga rritja e normave të interesit, dividentët, etj. Ndikim ka patur edhe kursi i këmbimit, i cili është reflektuar në uljen e humbjeve nga investimet. Edhe pse kursi i këmbimit në vitin 2024 shënoi rënie të mëtejshme, përsëri kjo rënie nuk ishte në nivelet e vitit të mëparshëm.

Aktivet e shoqërive të sigurimit arritën në rreth 560 milionë Euro në fund të vitit 2024, me një rritje prej 11.44% krahasuar me një vit më parë. Rritja kryesore e aktiveve u vërejt në sektorin e Jo-Jetës. Depozitat vazhdojnë të zënë peshën kryesore të aktiveve me 33%, ndjekur nga “Toka dhe ndërtesa” dhe “Bono thesari dhe obligacione”, përkatësisht me rreth 14% dhe 11.8%.

Burimi: ekofin.al

Leave a Reply