Skip to main content

Shfuqizohen gjobat e vendosura nga Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, IKMT dhe AKU prej vitit 2015Shfuqizohen gjobat e vendosura nga Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, IKMT dhe AKU prej vitit 2015

 

Qeveria miratoi në mbledhjen e sotme faljen e gjobave të paekzekutuara për periudhën nga data 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024. Bëhet fjalë për masat administrative të vendosura nga inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për procedurat që ndiqen për shfuqizimin e masave administrative të paekzekutuara deri në datën 15 janar 2025.

Sipas këtij vendimi, falja e gjobave do të zbatohet vetëm për individët ose personat fizikë apo juridikë, të cilët kanë bërë ndërtime dhe/ose ndërhyrje pa leje në ndërtime për qëllime banimi; objekte ku kryhen veprimtari të prodhimit, magazinimit, përpunimit, ruajtjes dhe tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale; objekte që shërbejnë për mbajtjen e mjeteve të punës e input-eve bujqësore dhe blegtorale; ose osekanë objekt të aktivitetit të tyre prodhimin, përpunimin, ruajtjen dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale në zonat rurale dhe nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura për administrimin e situatës Covid-19 gjatë periudhës së pandemisë.

Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit dhe policia bashkiake e çdo njësie të vetëqeverisjes vendore, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përgatisin listën e individëve dhe/ose personave fizikë apo juridikë ndaj të cilëve nga ky organ është vendosur, përkatësisht, masë administrative, e cila rezulton e paekzekutuar.

Drejtoria përkatëse e njësisë së vetëqeverisjes vendore për taksat dhe tarifat vendore, brenda 30 ditëve nga administrimi i listës, kryen heqjen/fshirjen nga sistemi të masës administrative, sipas listës së përcjellë për secilin individ dhe/ose person fizik apo juridik.

Çdo individ dhe/ose person fizik apo juridik, që pretendon se nuk është hequr/fshirë në sistem masa administrative, pas përfundimit të afatit të parashikuar paraqet kërkesë, përkatësisht, pranë Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit ose Policisë Bashkiake për heqjen/fshirjen e masës.

Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit ose Policia Bashkiake njofton brenda 5 ditëve individin dhe/ose personin fizik apo juridik për refuzimin e kërkesës për heqje/fshirje nga sistemi, duke parashtruar edhe arsyet përkatëse. Kundër vendimit për refuzimin e heqjes/fshirjes së masës administrative, subjekti ka të drejtën e ankimit në gjykatë.

Për Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), lista e përgatitur, konsiderohet përfundimtare, kur për çdo subjekt kundërvajtës kanë të evidentuar qartësisht tipologjinë e ndërtimit pa leje apo njoftim paraprak, të cilat, në çdo rast, duhet të pasqyrojnë qartë se përmbushen kushtet për shfuqizimin e masës administrative.

Vendimet e Kryeinspektorit të nxjerra për heqjen/fshirjen e masave administrative të shfuqizuara administrohen nga strukturat përgjegjëse për ndjekjen e ekzekutimit të masave administrative, si dhe nga strukturat përgjegjëse për mbajtjen e regjistrave.

Vendimi përcakton se, institucionet e përmendura kryejnë njoftimin për heqjen/fshirjen e masave administrative të shfuqizuara nëpërmjet njoftimit publik me shpallje, në përputhje me parashikimet në Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë.

Procesi i heqjes/fshirjes nga lista e subjekteve të debitorëve, sipas këtij vendimi, përfundon brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e tij.

Shpenzimet administrative për realizimin e procesit të heqjes/fshirjes së masave administrative të paekzekutuara dhe të shfuqizuara përballohen nga secili institucion.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Burimi: ATA

Leave a Reply