Skip to main content

Më pak shqiptarë rezultojnë të kenë paguar në euro për sigurimin e jetës, makinës dhe pronës gjatë 2024. Sipas një analize të kryer nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, vlera e primeve të shkuara bruto nga sigurimi i jetës dhe jo-jetës arriti në 24 miliardë në vitin që lamë pas, ndërsa shumica janë në lek dhe vetëm 29.8% në euro.

Konkretisht, pesha e primeve në euro kundrejt primeve të shkruara bruto në total për aktivitetin e jetës ka shënuar një rënie me rreth 2.7%, duke arritur në 26.5%, nga 29.2% që ka qenë në fund të 2023. Ndërkohë, pesha e primeve në euro kundrejt totalit për aktivitetin e sigurimit jo-jetë ka pësuar rënie me rreth 1.2% krahasuar me fundvitin 2023.

Që prej vitit 2017, Ministria e Financave, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë kanë ndërmarrë disa veprime për të ulur përdorimin e monedhave të huaja në ekonomi sipas sektorëve të cilët mbikëqyrin, apo operojnë në aktivitetin e tyre. Megjithatë, nuk mund të flasim kurrë për 100% prime në lek në tregun e sigurimeve, sepse ka disa produkte që lëshohen vetëm në euro.

Kartoni Jeshil për shembull është produkt ndërkombëtar sigurimi, prandaj lëshohet vetëm në monedhën evropiane, duke qenë se edhe detyrimet që i lindin shoqërisë së sigurimit jashtë territorit të Shqipërisë për pagesë dëmshpërblimi nga ky sigurim janë në euro. Nga ana tjetër, polica kufitare lëshohet në pikat e kalimit kufitar gjatë hyrjes së automjeteve me targa të huaja në territorin e vendit tonë dhe pagesa e primit të policës në monedhën vendase do të vështirësonte procesin e pajisjes së konsumatorit me këtë policë sigurimi.

Po kështu, disa nga produktet kryesore të aktivitetit të sigurimit, si sigurimi i pronës me përfitues bankat tregtare ose sigurimi i Jetës së debitorit, janë të lidhura ngushtësisht me monedhën e kredisë. Monedha në të cilën disbursohet kredia dikton dhe monedhën e lëshimit të policës, për shkak të nevojës për të rikuperuar në të njëjtën monedhë vlerën e detyrimit, në rastin e ndodhjes së ngjarjes së sigurimit.

Përveç produkteve të detyrueshme të Kartonit Jeshil dhe Sigurimi Kufitar, ka edhe disa produkte vullnetare që rezultojnë me të ardhura pothuajse 100% të realizuara në euro, siç është Sigurimi i kombinuar i Aksidenteve personale dhe shëndetit, Sigurimi i Jetës në Udhëtim dhe Sigurimi i Jetës së Studentit.

Burimi: Scan

 

Leave a Reply