Skip to main content

Sa paguam për sigurimin e makinave në janar? – AMF: Rritje në të gjitha produktet. Kufitari rikuperon lehtë, pas rënies në 2024

Shqiptarët kanë shpenzuar gjithsej 448 milionë lekë për sigurimin e makinave me MTPL të brendshme, karton jeshil dhe sigurim kufitar në muajin janar.

MTPL e brendshme, e cili i referohet sigurimit të mjetit motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta në rastet kur i siguruari përfshihet në një aksident dhe është përgjegjës për dëme materiale, pasurore, apo shëndetësore, gjatë muajit janar ka pasur një rritje prej 7.8% të numrit të kontratave, ndërsa primet arritën në 388 milionë lekë.

Nga ana tjetër, sigurimi me karton jeshil për të gjitha automjetet e regjistruara në Shqipëri të cilat udhëtojnë jashtë vendit, është shoqëruar me një rritje prej 12.75% të vëllimit të primeve, duke e çuar vlerën totale në 156 milionë lekë. Nga 1 shkurti i këtij viti, të gjithë makinat që udhëtojnë drejt Malit të Zi, përfituan një zbritje të çmimit të sigurimit për “Karton Jeshil”. Nga 210€ që ishte primi për 1 vit, tani paguajnë vetëm 50€, ndërsa primi për 15 ditë vazhdon të jetë 15€. Për vendet e tjera fqinje ku ka fluks lëvizjesh të automjeteve shqiptare, çmimi i policës së sigurimit vijon të jetë njëlloj.

Për sa i përket sigurimit kufitar, numri i kontratave dhe primeve pësoi një rënie të ndjeshme vitin e kaluar. Megjithatë, viti 2025 ka nisur me një rikuperim të lehtë. Sigurimi kufitar për automjetet me targa të huaja që qarkullojnë brenda territorit të Shqipërisë, ka regjistruar një rritje me 5.05% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me janar 2024. Edhe numri i kontratave u rrit me 8.88%.

Nga ky vit ka nisur edhe zbatimi i skemës së re të sigurimit të makinave, e cila parashikon që primi i sigurimit për një automjet të llogaritet mbi bazën e historikut të dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit, fuqisë motorike, moshës së të siguruarit, eksperiencës në drejtimin e mjetit motorik, vjetërsinë dhe qarkun e regjistrimit të mjetit, por edhe nëse automjeti përdoret nga subjekt, apo individ.

Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, të ardhurat nga sigurimi motorik zënë 74% të totalit të të ardhurave në kategorinë e jo-jetës, primet nga sigurimi prej zjarrit dhe dëmtimeve të tjera në pronë zënë gati 10%, ndërsa aksidentet dhe shëndeti afro 8.7%.

Burimi: Scan

Leave a Reply