Skip to main content

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar të dhënat e tregut të sigurimeve për periudhën Janar 2025.

Të ardhurat nga primet e sigurimit për këtë periudhë kapën vlerën 1,976 milionë lekë ose 11,37 për qind më shumë se në janar 2024.

Edhe numri i kontratave të sigurimit arriti në 124.025 me një rritje prej 18,75 për qind.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 90,38 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 9,54 për qind.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e sigurimit vullnetar zënë 39,44 për qind dhe primet e sigurimit të detyrueshëm zënë 60,56 për qind të totalit të tregut.

Nga ana tjetër, pozitiv është fakti se gjatë Janarit 2025, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 687 milionë lekë ose 12.95 për qind më shumë se në vitin 2023.

Në ndryshim nga produktet e kategorisë së Sigurimit të Detyrueshëm Motorik, të cilat kanë njohur rritje produktet e Sigurimit Vullnetar kanë performuar në rënie, gjithashtu sigurimet e Jetës gjatë Janarit 2025 arritën rreth 189 milionë lekë ose 10,50 për qind më pak se një vit më parë.

Të dhënat e AMF-së mbi tregun e sigurimeve tregojnë një dinamikë të orientuar kryesisht nga sigurimet e detyrueshme. Rritja në total e të ardhurave dhe numrit të kontratave është pozitive, por mbështetja kryesore vjen nga sigurimi motorik dhe produktet e tjera të detyrueshme. Kjo tregon se shqiptarët sigurohen kryesisht kur janë të detyruar me ligj, ndërsa sigurimet vullnetare mbeten në nivele më të ulëta.

Për të ndryshuar këtë tendencë, AMF sugjeron masa që rrisin ndërgjegjësimin për përfitimet e sigurimeve, si dhe politika stimuluese, si lehtësime tatimore apo paketa më tërheqëse për sigurimin e jetës, shëndetit dhe pronës.

Gazetar: Omer Saraçi

Burimi/rtsh.al/

Leave a Reply